Shqiprim Arifi shkarkohet nga pozita e kryetarit të Preshevës: Serbia nuk i konsideron shqiptarët si qenie njerëzore

Shqirim Arifi është shkarkuar nga pozita e kryetarit të Preshevës. Përmes një postimi në Facebook, Arifi ka bërë të ditur se është shkarkuar “në mënyrë arbitrare dhe duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore nga regjimi autoritar i Beogradit”. Shkakrimin e tij nga Beogradi, Arifi e cilësoi si vazhdimësi të politikave “antishqiptare duke vazhduar traditën e Millosheviqit të viteve të 90ta”.
“Dje në mesnatë, pushteti autoritar i Beogradit, në mënyrë arbitrare dhe duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore, si dhe pa asnjë njoftim zyrtar, regjimi serb dhe antishqiptar duke vazhduar traditën e Millosheviqit të viteve të 90ta, në mënyrë të dhunshme më SHKARKUAN nga posti i Kryetarit të Komunës së Preshevës. Njëkohësisht, ky regjim antishqiptar dhunshëm instaloi një organ të përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme”, ka bërë të ditur Arifi.
Arifi tha se kjo vjen pas kërcënimeve publike të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, dhe vetëm 24 orë pas një dënimi që mori nga gjykata serbe në lidhje me vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 Nëntor.
Në reagimin e tij, Arifi gjithashtu flet për bashkëpunimin e një pjese të vogël të komunitetit shqiptar me regjimin serb, duke i quajtur ata “shqipfolës serbofilë” dhe i akuzon ata për ndihmën e tyre në realizimin e politikave antishqiptare të Beogradit.
“Ka disa kohë që Vuçiq kërcënon publikisht shqiptarët e Luginës së Preshevës. SHKARKIMI i dhunshëm i imi, mesnatën e mbrëmshme, pa asnjë procedur ligjore dhe asnjë njoftim, ndodh menjëherë pas kërcënimit të fundit publik të Vuçiqit në këtë javë dhe 24 orë pasi u dënova nga Gjykata serbe për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 Nëntor”, tha Arifi.
“SHKARKIMIN tim të dhunshëm, nuk kishte mundur ta realizoj pa ndihmën e pakursyer të shqipfolësve serbofil siç janë: Ragmi Mustafa, Shaip Kamberi, Ardita Sinani dhe Argjend Sherifi si dhe disa kompani lokale mafioze që bashkëpunojnë me qarqet e errëta në Serbi. Kjo klasë politike bashkëpunuese besnik të regjimit serb me dekada, janë bërë vegël e lehtë për Vuçiqin dhe serbinë për të realizuar agjendën e tij antishqiptare në Luginë të Preshevës”, tha ai.
Ai ka bërë të ditur më tej se për shkakrimin e tij të cilin e cilëson “të dhunshëm” ka njfotuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
“Për SHKARKIMIN tim të dhunshëm dhe për gjithë akterët të lartcekur, që në vazhdimësi po ndihmojnë Serbinë për të dëmtuar shqiptarët, kam njoftuar partnerët tanë ndërkombëtar SHBA dhe BE”, tha ai.