
Tash e dy javë që ka nisur agresioni rus ndaj Ukrainës, pas hutisë fillestare, në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor, filloi të artikulohet dëshira për anëtarësim të përshpejtuar në BE dhe në NATO. Këtë dëshirë e stimuloi edhe më shumë aplikimi i Ukrainës për t’u bërë pjesë e Unionit, të cilin Zelenskyi e nënshkroi nën jehonën e bombave ruse. Kryeministri Albin Kurti, me gjasë u bë i pari që tha publikisht se anëtarësimi nuk mund të bëhet në mënyrat e vjetra, duke aluduar në proceset e stërzgjatura dhe të mundimshme, të hyrjes në klubin e shteteve europiane “Është imperativ që Brukseli, si kryeqytet i NATO’s dhe BE’së, ta rimendojnë zgjerimin në Ballkanin Perëndimor”. Por, Gjermania si një nga shtetet kyce që pyetet për çështjen e anëtarësimeve të reja, mbrëmë, në Kosovë shoi ëndrrën për katapultim në BE. Kryediplomatja gjermane Annalena Baerbock tha se nuk ka rrugë të shpejtë drejtë BE’së. Në Prishtinë ajo përmendi të gjitha fazat që duhen kaluar, përfshirë edhe bisedimet me Serbinë të cilat i lidhi me statusin e kandidatit të cilin Kosova nuk e ka ende. Të njëjtin mesazh dje Ukrainës ia çuan edhe liderët e BE’së – s’ka rrugë të shpejtë.
Bombat do të vazhdojnë të biejnë në territorin e Ukrainës dhe BE do ta ketë edhe më të qartë rrezikun nga Rusia e Putinit. Vendet anëtare të BE’së do të jenë po ashtu të edhe më të vetëdishme që rusët mund të shkaktojnë probleme serioze edhë në rajonin fqinj të tyre, Ballkanin Perëndimor, por kjo nuk do t’i shtyjë ata t’i bëjnë ndonjë koncesion për anëtarësim të përshpejtuar Ballkani Perëndimor, rajonit që aspiron të bëhet pjesë e BE’së.










