EKONOMIKOSOVËLAJME

S’ka punëtorë në Kosovë, kompanitë fillojnë të marrin nga Bangladeshi, India, Nepali dhe vende tjera

Bangladeshi, Nepali, India dhe Turqia janë shtetet nga të cilat disa kompani kosovare kanë kthyer sytë për fuqi punëtore.

Arsyeja? Ka mungesë të punëtorëve vendës.

Florenti Company
Market Florenti
Koha

H.Th., nga një kompani në fushën e ndërtimit në Malishevë – komunë në jugun e Kosovës – thotë për Radion Evropa e Lirë se qe dy muaj kanë marrë disa punëtorë nga Bangladeshi, shtet në Azinë Jugore.

“Aktualisht i kemi 13-14 punëtorë nga Bangladeshi. I kemi marrë para dy muajsh. Ata kryejnë punë në ndërtim, janë punëtorë fizikë. Po mësohen gradualisht, nuk janë profesionistë në këtë lëmi, por po mësohen”, thotë ai, duke mos dashur të specifikojë më shumë.

Numri i punëtorëve në këtë kompani është mbi 60 dhe nevoja për më shumë punëtorë është në rritje, thonë udhëheqës të kësaj kompanie.

REL-i ka kontaktuar edhe disa kompani të tjera që kanë marrë punëtorë nga këto shtete aziatike, por shumë prej tyre kanë hezituar të flasin publikisht.

Se numri i punëtorëve të huaj në Kosovë është rritur muajve të fundit dëshmohet nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në periudhën janar-qershor të këtij viti janë bërë 1.858 kërkesa për leje qëndrimi në Kosovë për qëllim pune nga shtetas të huaj. Ndërkaq, 1.391 kanë fituar leje qëndrimi të përkohshëm.

Në këto kërkesa, me numrin më të madh prijnë shtetasit nga Turqia dhe Bangladeshi.

Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i personave që kanë fituar leje qëndrimi të përkohshëm me qëllime pune ishte 1.317.

Por, punëtorët që vijnë në Kosovë nga shtetet aziatike nuk janë të kualifikuar dhe vështirë përshtaten me rrethanat në Kosovë.

Kështu thotë Ramiz Ismajli, i cili punon në një kompani që rekruton punëtorë nga shtetet e treta.

“Në fushën e ndërtimtarisë, [punëtorët e huaj] nuk janë stabilë. Ka raste kur gënjejnë për përvojën e tyre të punës. Kur vijnë në Kosovë për të punuar, del se as 30 për qind të asaj që e kanë paraqitur në CV [rezyme] nuk e posedojnë. Nuk janë punëtorë si ne kosovarët, që shkojmë dhe punojmë në Gjermani. Ne mësojmë shpejt, këta që vijnë nga këto vende nuk janë të tillë. Pastaj, nuk flasin gjuhë të huaja, si anglishtja, dhe është i vështirë komunikimi”, thotë Ismajli për Radion Evropa e Lirë.

Ai tregon se ka shumë kërkesa nga kompani të profileve të ndryshme në Kosovë për rekrutimin e punëtorëve nga shtetet aziatike, por janë disa procedura administrative që paraqesin vështirësi.

“Janë disa kompani që ua kam dhënë kontaktin dhe CV-të e disa punëtorëve nga vendet aziatike, por sa arrijnë t’i marrin? Ka shumë procedura administrative”, thotë Ismajli.

Mungesë e punëtorëve vendës
Përkundër shkallës së papunësisë që arrin në mbi 16 për qind, Kosova ka vite që përballet me mungesë punëtorësh të profileve të ndryshme.

Gastronomia, ndërtimtaria, bujqësia dhe tekstili janë sektorët me mungesën më të madhe të punëtorëve në Kosovë.

Interesimi i qytetarëve të Kosovës për të punuar, sidomos në sektorin privat, ka rënë për disa arsye.

Sipas Inspektoratit të Punës, këto arsye lidhen me orarin e stërzgjatur të punës, pagat e ulëta, mungesën e kontratës, punën në fundjavë, mospagesën e orëve shtesë e të tjera.

Një tjetër arsye që ka çuar në krizë për punëtorë në Kosovë është edhe emigrimi i qytetarëve.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës flasin për mbi 42.000 qytetarë të larguar nga Kosova në vitin 2021, për arsye të ndryshme, ndër to edhe për qëllime pune.

Rafuna: Punëtorët, për periudhë afatshkurtër
Në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) thonë se janë dhjetëra kompani që tashmë kanë punësuar punëtorë nga vendet tjera, kryesisht aziatike, dhe po aq kompani janë në kërkim të fuqisë punëtore nga jashtë.

Sektorët me më së shumti punëtorë nga vendet aziatike janë ai i ndërtimtarisë dhe ai gastronomisë.

“Kërkesa për fuqi punëtore nga jashtë është në rritje. Fuqia punëtore po na vjen nga Bangladeshi, Turqia, Nepali dhe vendet tjera”, thotë për Radion Evropa e Lirë, kreu i OEK-ut, Lulzim Rafuna.

Megjithatë, Rafuna thotë se Kosova nuk po arrin të luftojë mungesën e fuqisë punëtore me marrjen e punëtorëve nga vendet tjera.

Sipas tij, kompanitë vendore po raportojnë se fuqia punëtore që po vjen nga vendet aziatike është e pakualifikuar dhe vështirë po ambientohet me rrethanat e punës në Kosovë.

Sipas Rafunës, nga informacionet që merr nga kompanitë, shumica e këtyre punëtorëve nuk e kanë qëllim final tregun e punës në Kosovë.

Një pjesë e tyre, thotë ai, qëndrojnë në Kosovë vetëm derisa të gjejnë një mundësi për të shkuar në shtetet e Bashkimit Evropian. Sipas kreut të OEK-ut, kjo po bën që kompanitë të mos e mbështesin aktivitetin e tyre në këtë fuqi punëtore në një periudhë afatmesme apo afatgjatë.

“Punëtorë të cilët vijnë nga vendet e treta lidhin kontrata pune me paga dhe kushtet që ofron kompania bazuar edhe në legjislacionin në fuq,i siç është Ligji i punës”, thotë ai.

Punëdhënësi më i madh në Kosovë është sektori privat, me më shumë se 300 mijë të punësuar.

Paga mesatare bruto në sektorin privat është 473 euro.

Rafuna thotë se institucionet duhet të bëjnë përpjekje që të ndërtojnë politika për të parandaluar ikjen e madhe të fuqisë punëtore, pasi që humbjet në aspektin ekonomik do të jenë të mëdha.

“Ne duhet ta kem synim ta ndalim emigrimin. Nëse nuk mund të ndalim, ta sjellim në minimumin e mundshëm duke ofruar një sistem adekuat arsimor, një sistem të sundimit të ligjit efikas, një sistem të mirë të shëndetësisë dhe duke krijuar siguri juridike dhe ekonomike për të rinjtë”, thotë Rafuna.

Një anketë e Institutit Republikan Ndërkombëtar, me seli në Shtetet e Bashkuara, e publikuar në nëntor të vitit 2021, ka treguar se 78 për qind e kosovarëve të moshës 18 deri në 35 vjeç “ndoshta” ose “përfundimisht” do të largoheshin nga vendi i tyre, nëse do të kishin mundësi.

Çfarë thotë ligji për punëtorët e huaj?
Punësimi i shtetaseve të huaj në Kosovë është i rregulluar me Ligjin për të huajt.

Sipas këtij ligji, personat fizikë, që nuk janë shtetas të Kosovës, kur dëshirojnë të punojnë në territorin e Kosovës duhet të pajisen me leje pune.

Për lejeqëndrim me qëllim të punës, shtetasi i huaj duhet të grumbullojë një varg dokumentesh – në mesin e tyre: kontrata e punës, dëshmia që nuk është i dënuar, dëshmia për arsimimin dhe kualifikimin që ka, sigurimi shëndetësor e të tjera.

Mbledhja dhe procedimi i tyre shpesh marrin muaj të tërë kohë.

Leja e qëndrimit të përkohshëm për qëllime pune lëshohet për 6 muaj deri në 1 vit.

Pas kësaj periudhe, kjo leje ripërtërihet dhe mund të merret edhe leje e përhershme qëndrimi.

Me trendin e mungesës së fuqisë punëtore po përballet edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut./REL