SKANDALOZE: Komuna e Mitrovicës nuk ka para as për të blerë ujë për asamblesitët, ujin sot e morën borxh

Komuna e Mitrovicës ka mbetur ‘rrugëve’. Për shkak të borxheve të shumta të mbetura nga pushteti i kaluar, buxheti i Komunës është ‘i shkatërruar’, shkruan Mitropol.
Përmbaruesi i ka tërhequr të gjitha mjetet financiare nga llogaria e Komunës së Mitrovicës, duke e lënë atë me 0€ buxhet.
Burime të sigurta të Mitropol kanë bërë të ditur se uji i cili iu servua sot asambleistëve pjesëmarrës në seancën e dytë të Kuvendit Komunal u mor borxh, kjo për faktin se Komuna s’pati para të mjaftueshme as për të blerë ujë.
Veç ujit, edhe seti i faculetave të letrës që u vendosën sot para secilit asambleist u mor me para borxh.
Tash kur dimri ka ardhur dhe rrugët nëpër zonat rurale po bllokohen nga bora, Komuna e cila s’po arrin ta blejë me buxhet të vet as ujin e asambleistëve i ka duart e lidhura për nga aspekti financiar.
Mbetet të shihet se si do ia dalë t’i menaxhojë paratë e Komunës kryetari i ri, Bedri Hamza, i cili dikur menaxhonte me kuletën e shtetit./Mitropol/








