SKANDALOZE: “Qe dy javë po pres për operim të hernisë” – Në Spitalin Rajonal të Mitrovicës nuk po kryhen operacionet në mungesë të gjeneratorëve

Në Spitalin Rajonal të Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri” tash e dy javë nuk po realizohen operime, shkruan Mitropol.
Siç kanë thënë burime brenda spitalit për “Mitropol”, operimet nuk po realizohen për shkak që gjeneratorët janë jofunksionalë, dhe në rast se gjatë një operacioni ndalet rryma elektrike, gjendja e pacientit mund të përfundojë me pasoja fatale.
Një nga pacientët ka thënë që është detyruar të pres dy javë për një operacion të hernisë.
Burimet gjithashtu kanë thënë që për operacionet më të thjeshta po detyrohen të shkojnë në QKUK.
Faktin që qytetarët po detyrohen të shkojnë nga Mitrovica në Prishtinë për të kryer operacione, e kanë konfirmuar edhe burime të Mitropol brenda QKUK-së.
Se gjeneratorët janë të prishur për “Mitropol” e ka konfirmuar edhe Drejtori i Spitalit, Gëzim Berisha.
Ai tha se rregullimi i gjeneratorit kryesor ka filluar dhe se nuk ka pacientë në listë të pritjes për operacione.
“Operacionet me anestezion të përgjithshëm i kena shty për një javë, por me anestezion lokal e regjjonal janë duke u kryer. Po besoj afër fundit të javës rregullohet gjeneratori. Është një defekt pak më delikat. Ashtu-kështu nuk kemi lista të pritjes fare”, ka thënë Berisha për “Mitropol”.
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që pacientët kanë ankesa për gjendjen e keqe logjistike të spitalit të Mitrovicës./Mitropol/








