Tahiri: Nderim veprës dhe jetës së Sabitit dhe gjithë atyre që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, dhe nënkryetari Arian Tahiri së bashku me gjeneralin Rrahman Rama janë parë sot në fshatin Broboniq të Mitrovicës duke bërë homazhe pranë varrit të heroit Sabit Veseli për 15 vjetorin e vdekjes së tij, shkruan Mitropol.
Këtë moment e ka ndarë vetë Tahiri përmes disa fotove ku shihet i shoqëruar edhe me veteranë të tjerë.
Tahiri e ka cilësuar Veselin si një veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare.
Postimi i plotë:
Në përvjetorin e 15-të të vdekjes së heroit Sabit Veseli, bashkë me kryetarin Hamza, gjeneralin Rama dhe veteranë të luftës, bëmë homazhe pranë varrit të tij në Broboniq.
Sabit Veseli ishte një veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare. Ai si 17-vjeçar u përkushtua për çlirimin e vendit, duke u dalluar sidomos në organizimin e demonstratave të vitit 1981, për çka u burgos për 7 vite e gjysmë. Edhe pas burgut, nuk ndali veprimtarinë deri në luftën çlirimtare.
Nderim veprës dhe jetës së Sabitit dhe gjithë atyre që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.






