Tentoi t’i jepte ryshfet policit në Sunny Hill – arrestohet i riu me shtetësi zvicerane

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur gjatë të premtes në hyrjen e festivalit “Sunny Hill”, shkruan Mitropol.
Një i ri me shtetësi zvicerane është arrestuar nga policia nën dyshimet për dhënie ryshfeti.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë orëve të pasdites, kur i riu gjatë hyrjes në festival kishte nxjerrë nga xhepi i tij 20 euro para të gatshme, duke ia dorëzuar zyrtarit policor për orientim se ku mund ta parkojë veturën.
Polici nuk e ka pranuar shumën, ia ka kthyer menjëherë paratë dhe ka raportuar rastin, çka ka çuar në arrestimin e menjëhershëm të të dyshuarit.
Me urdhër të prokurores kujdestare, ndaj tij është iniciuar rasti “Dhënie ryshfeti” dhe është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.








