Tetë muaj heshtje për rastin që preku sigurinë kombëtare të Kosovës

Kanë kaluar afro tetë muaj nga sulmi mbi kanalin kryesor të ujësjellësit Ibër-Lepenc në fshatin Varragë të Komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit, shkruan Mitropol.
Edhs pse kanë kaluar plot tetë muaj nga kjo ndodhi, pak ose aspak dihet për këtë sulm, përveç faktit se dy persona vazhdojnë të jenë në paraburgim.
Përkundër rëndësisë së infrastrukturës së sulmuar dhe përfshirjes së Prokurorisë Speciale, madje edhe të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) në procesin hetimor, ende nuk është dhënë asnjë informacion zyrtar për motivet, autorët apo ecurinë e hetimeve rreth rastit.
Heshtja institucionale që pasoi këtë incident të rëndë ka ngritur shqetësime për mungesë transparence në trajtimin e rasteve që lidhen me sigurinë kombëtare dhe infrastrukturën kritike të vendit.
Kujtojmë se riparimi për dëmet e shkaktuara në kanalin e Ibër-Lepencit kapën një vlerë prej 400 mijë eurove.
Institucionet e Kosovës kishin deklaruar se sulmi ishte kryer me rreth 20 kilogramë eksploziv dhe ishte realizuar nga persona të trajnuar për përdorimin e mjeteve shpërthyese, të cilat aktivizoheshin me fitil me djegie të ngadaltë.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, të cilin e ka konsideruar terrorist, ndërsa Beogradi zyrtar ka mohuar gjithçka.
Sulmi është dënuar ashpër edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të cilët kanë bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.








