Tjetër shok-bombë në veri, thyhen xhamat e katër lokaleve

Edhe një tjetër shpërthim si ato që jemi mësuar së fundmi në veri është raportuar të ketë ndodhur gjatë mëngjesit të ditës së sotme, shkruan “Mitropol”.
Ky njoftim është konfirmuar nga një komunikatë e lëshuar nga Policia e Kosovës para pal çastesh.
Në njoftim thuhet se shok-bomba ka shkaktuar dëme materiale nga çka pas vetës ka lënë xhama të thyera në katër lokale, në dy prej të cilëve nuk zhvillohej ndonjë biznes.
“Sipas informacioneve fillestare dyshohet se shpërthimi mund të jetë veprim kriminal nga strukturat e organizuara kriminale dhe vazhdim i përpjekjeve për të ngritur tensione dhe destabilizim të situatës, në funksion të shtrirjes së ndjenjës së pasigurisë dhe frikës”, thuhet ndër tjerash në raportimin e policisë.

Komunikata e plotë e policisë:
Policia e Kosovës sqaron raportimet në media lidhur me thyerjen e xhamave të disa lokaleve në veri të vendit
Prishtinë, më 19 dhjetor 2022
Me datën 19.12.2022, rreth orës 02:20, gjatë natës, në Mitrovicën e veriut, konkretisht afër udhëkryqit te shkolla teknike është raportuar për një shpërthim të një bombe çorientuese (shok bombe).
Si pasojë e këtij shpërthimi janë raportuar thyerje të disa xhamave në katër lokale, në dy prej të cilave nuk zhvillohet ndonjë biznes.
Sipas informacioneve fillestare dyshohet se shpërthimi mund të jetë veprim kriminal nga strukturat e organizuara kriminale dhe vazhdim i përpjekjeve për të ngritur tensione dhe destabilizim të situatës, në funksion të shtrirjes së ndjenjës së pasigurisë dhe frikës.
Policia e Kosovës me njësitet e saj, përfshirë edhe njësinë kundër terrorizmit po ndërmerr veprime intensive në hetimin e këtij rasti për identifikimin dhe sjelljen para drejtësisë të kryerësve të këtyre veprave kriminale.
Fushatat propaganduese të ditëve të fundit nga qarqe politike e media kryesisht serbe, kundërshtohen fuqishëm nga Policia e Kosovës dhe kërkohet nga qytetarët dhe mediat në përgjithësi që çdo informacion të ndjeshëm ta konfirmojnë përmes autoriteteve kompetente, respektivisht zyrës për media në Policinë e Kosovës, me qëllim të informimit të drejtë dhe posedimit të informatave të sakta dhe në kohë reale.








