Torcida në aksion: Ftohen qytetarët ta blejnë biletën simbolike 2€, si mbështetje për KH Trepçën

Në prag të një ndeshjeje të rëndësishme kampionale në hendboll, ndërmjet KH Trepça dhe KH Prishtina, tifo-grupi “Torcida 1984” ka marrë një iniciativë domethënëse për të qëndruar pranë klubit mitrovicas në një moment vendimtar, shkruan Mitropol.
Përmes një njoftimi, Torcida ka bërë të ditur se ka nisur mbledhjen e mjeteve financiare me qëllim sigurimin e një buxheti të mjaftueshëm për pagesën e pagave të lojtarëve të KH Trepça.
Ky veprim vjen si dëshmi e përkushtimit dhe besnikërisë së vazhdueshme të tifozëve ndaj klubit, duke treguar se mbështetja për Trepçën nuk kufizohet vetëm në tribuna, por shtrihet edhe në momente sfiduese jashtë fushës.
Si pjesë e kësaj nisme, është vendosur që në ditën e nesërme të dalin në shitje 500 bileta me çmim simbolik prej 2 euro. Të gjitha të ardhurat e grumbulluara nga shitja e biletave do të destinohen ekskluzivisht për pagesën e lojtarëve, duke e kthyer praninë në palestër në një akt solidariteti dhe përgjegjësie qytetare.
Torcida ka ftuar të gjithë dashamirët e sportit, tifozët e Trepçës dhe qytetarët e Mitrovicës që të jenë pjesë e kësaj iniciative, përmes pranisë së tyre në ndeshje dhe kontributit financiar, sado simbolik që të jetë. Sipas tyre, vetëm përmes bashkimit dhe mbështetjes së ndërsjellë, KH Trepça mund të vazhdojë rrugëtimin e saj me dinjitet dhe forcë.
Për Trepçën – gjithmonë. 🖤💚/Mitropol/







