
Tre anëtarë të familjes së Nuredin Lushtakut janë ndaluar për 48 orë, si të dyshuar për incidentin që ndodhi të shtunën në Skenderaj.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se ndaj tre të dyshuarve, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim.
Sherri nisi në një pikë kontrolli, në rrugën “Fadil Rrustemi” në Skenderaj, ku zyrtarët policorë ndalën djalin e Nuredin Lushtakut, i cili ishte me një veturë të tipit Golf, të cilit ia shqiptuan një tiketë për kundërvajtje në trafik.
I mllefosur për gjobën që mori, Arbër Lushtaku, 19-vjeçar, vendosi të hakmerrej, duke kërkuar ndihmë nga babai e xhaxhallarët, të cilët pa një pa dy dyshohet se arritën në vendin e ngjarjes me një veturë dhe nisën sherrin me Policinë.
Konflikti nisi me debat, e vazhdoi me sulm ndaj dy policëve, njëri prej të cilëve mori lëndime në kokë, si pasojë e goditjeve me mjete të forta e tjetri në këmbë, për shkak të predhës që u shkrep në vendin e ngjarjes.
”Mitropol” ishte mediumi i parë në Kosovë që raportoi ekskluzivisht për rastin.








