LAJME

Vendimi i trupit gjykues në Hagë: Nuk ka kufizime në vizitat private për krerët e UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, trupi gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka marrë vendim që të mos vendos masa kufizuese lidhur me vizitat private të të akuzuarve.

Në vendimin e datës 9 shkurt 2024, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ia ka rikujtuar të akuzuarve, në veçanti Thaçit dhe Selimit për detyrimin që kanë për të mos iu zbuluar personave të tretë informacione konfidenciale.

Market Florenti
Koha
Florenti Company

“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: KUJTON të Akuzuarit, në veçanti, zotërinjtë Thaҫi dhe Selimi, për detyrimin e tyre për të mos zbuluar palëve të treta të paautorizuara asnjë informacion konfidencial dhe/ose informacion që mund të çojë në identifikimin e dëshmitarëve të mbrojtur; UDHËRON Sekretarin që t’u kujtojë vizitorëve në objektet e paraburgimit se ata nuk duhet të diskutojnë ose të marrin pjesë në diskutimet e informacioneve konfidenciale që kanë të bëjnë me procedurat në KSK me një të paraburgosur, duke përfshirë informacionin që ka të bëjë me identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur”, thuhet në vendim.

Veç tjerash, nëpërmjet këtij vendimi, urdhërohen avokatët kryesor të të gjithë të akuzuarve që të iu kujtojnë anëtarëve të tyre të ekipit detyrimet që kanë në lidhje me informacionet konfidenciale.

“(c) UDHËRON avokatin kryesor për të gjithë të akuzuarit që t’u kujtojë anëtarëve të ekipit detyrimet e tyre në lidhje me informacionin konfidencial; (d) URDHËRON Regjistruesin që të njoftojë menjëherë Panelin në rast se ajo nxjerr një vendim që vendos kufizime ose refuzon një kërkesë për një vizitë private; dhe (e) UDHËZON Sekretarin, ZPS-në, Mbrojtjen Selimi dhe Mbrojtjen e Thaçit që të dorëzojnë një version publik të redaktuar të dosjeve të tyre përkatëse ose të kërkojnë riklasifikimin e tyre si publik jo më vonë se e premtja, 16 shkurt 2024”, thuhet tutje.