Vetëvendosje bojkoton seancën ku do të diskutohet për ushqimin në FSK
Grupi Paralamentar i Vetëvendosjes ka njoftuar se nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku pritet të diskutohet për gjendjen me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Deputeti i kësaj partie, Enver Dugolli ka treguar dy arsyet për mospjesëmarrje në seancë, teksa nuk i ka ndalur akuzat ndaj partive opozitare.
Ai ka përmendur kërkesën e opozitës për shkarkimin e shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila pas publikimit të audio-incizimeve me krimenlin serb, Milan Radoijiçiq.
“Ashtu siç jeni në dijeni që nga java e kaluar, opozita ka hyrë në fazë të re të veprimeve, duke mos mbajtur fjalën në mbledhjen e Kryesisë për marrëveshjet ndërkombëtare. Me këtë fenomen jemi mësuar. Ndryshe flasin, ndryshe veprojnë. Tentimi për të diktuar e shantazhuar grupin parlamentar për të shkarkuar Kusari-Lilën si kompensim për pjesëmarrje në seanca apo votim, është absurd dhe nuk e pranojmë. Ne as nuk përzihemi se kënd e votojnë ata për shef të grupit. Ne nuk marrim pjesë në asnjë seancë që vie nga ana e tyre derisa ata të reflektojnë dhe të shmangin këtë formë reflektimi. Kjo është arsyeja e parë.” – ka thënë ai.
Arsye tjetër sipas Dugollit është se ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka raportuar në Komision.
“Arsyeja e dytë që është edhe më praktike e që kundërshton arsyeshmërinë e thirrjes së kësaj seance: në fillimin e javës së tetorit, në kërkesën e bërë nga opozitë, të gjithë anëtarët e Komisionit e përkrahëm kërkesën e tyre që të ftojmë ministrin Maqedonci në raportim, e që raportoi për këtë çështjen e sotme. Më shumë se 3 orë diskutuam në komision, dhe ministri u përgjigj të gjitha pretendimeve të ngritura nga opozita, dhe temave të tjera, në dy seanca, të hapur dhe të mbyllur për publikun. Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme nga partitë në opozitë është vazhdimësi e seri dezinformatave që synon tash e sa ditë ta keqinformoj qytetarin. Kjo po bëhet me qëllim për ta dobësuar rolin e FSK-së që në 4 vitet e fundit ka bërë progres të jashtëzakonshëm, është më e fuqishme se asnjëherë më parë.” – ka thënë ai.
Më tej, disa fjalë i ka thënë edhe deputeti tjetër i VV-së, Mefail Bajqinovci lidhur me ushqimin në FSK.
“Flasim pak për historikun: sulmet e udhëhequr ndaj ministrisë së Mbrojtjes janë propagandë nga opozita dhe disa eksponentë të caktuar. Ministria e Mbrojtjes nuk i ka dhënë kontratën kompanisë Beni Dona, kompani që për më shumë se 15 vite ka krijuar monopol. Kjo kompani ka përfituar me miliona euro. Së dyti, Ministria nuk ka shpallur tender sekret, por në tenderin e fundit ka shpallur kontratë emergjente, pasi më 30 shtator i ka skaduar kontrata Beni Donës. Që nga viti 2023 çdo gjashtë muaj është vazhduar kontrata emergjente kësaj kompanie.”
“Në vitin 2023, Ministria e Mbrojtjes shpall tenderin për kontratë të rregullt në vlerë 9 milionë euro: kompanisë Beni Dona ia kanë dhënë vetëm një, kompanive tjera iu janë dhënë dy llote. Kompania në fjalë Beni Dona ka bërë ankesë duke dashur të ketë monopol. Në mars 2023 në të njëtjën mënyrë me procedurë emergjente Ministria e Mbrojtjes ka ftuar kompaninë Beni Dona, me shumën 2 milionë euro. Në mars 2024, Ministria i fton dy kompani dhe fiton Beni Dona. Asnjë opozitar nuk ka folur sa ishte Beni Dona. Kur kompania me opozitarë u alarmuan, filloi zhurma e madhe në Kuvendin e Kosovës dhe nga disa analistë. Furnizimi me produkte është siguruar nga AQP-ja, nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë ngecje, furnizimi bëhet në baza të rregullta. Kuzhinierët janë angazhuar mes Mensës dhe SHKK. Kuzhinierët janë profesionalë dhe do të angazhohen deri në përfundim të rekrutimit të stafit.” – ka thënë ndër të tjera ai.
Kujtojmë se sot Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për gjendjen me ushqim në FSK.
Kjo seancë është inicuar nga partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).