
Nuredin Lushtaku është sjellë i prangosur në objektin e Gjykatës së Mitrovicës, e cila do të caktojë masës e sigurisë.
Përveç Lushtakut në pranga në objektin e Gjykatës janë sjellë edhe familjarët e tij, që dyshohet se janë përfshirë në incidentin e së shtunës mbrëma ku u plagosën dy zyrtarë policorë.
Sot Prokuroria e Mitrovicës ka kërkuar masën e paraburgimit për ish-nënkryetarin e Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtakun dhe dy familjarët e tjerë të tij.
Gjatë ditës së sotme mediat raportuan se si ndaj Lushtakut ishte marrë vendim për ndalim nga ana e prokurorit të rastit ndërsa i njëjti nuk ishte hasur nga organet e rendit dhe për pak kohë u shpall në kërkim.
Pas njoftimit, Nuredin Lushtaku ishte dorëzuar tek autoritetet e rendit ndërsa është marrë vendimi sërish për ndalim dhe ndaj të njëjtit po kërkohet edhe masa e paraburgimit.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Nuredin Lushtaku ishte intervistuar dhe ishte liruar në procedurë të rregullt.








