Vrasësit e mbrëmshëm plaçkitën një barnatore një ditë më parë, njëri nga ta dyshohet se është 16 vjeç

Mbrëmë rreth orës 22:30 dy hajna kanë kryer një grabitje e armatosur në një market në rrugën “Mbretëresha Teutë” pranë Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë.
Pas grabitje, hajnat kanë qëlluar me armë pronarin e lokalit, Ali Malokun, një burrë rreth të 70-ave, i cili vdiq rrugës për në spital, shkruan Mitropol.
Pak minuta pas ngjarjes, Policia ka arrestuar dy personat e dyshuar. Lajmin e arrestimit të tyre e ka konfirmuar për “Mitropol”, zëdhënësi i Policisë për Mitrovicën Jugore, Avni Zahiti.
Të njejtit dyshohet se kanë kryer një tjetër grabitje të aramtosur një natë më parë në rrugën “Ferat Dragaj” në qendër të qytetit.
Sipas Zahitit, të dyshuarit janë arrestuar dhe është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se u krye krimi.
“Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprime të shpejta policore, janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar si dhe është sekuestruar një armë”, ka thënë Zahiti.
Siç mëson Mitropol, dyshohet se njëri nga të arrestuarit është 16 vjeçar./Mitropol/








