Vrasja e 19-vjeçarit në Vushtrri, ngrihet aktakuzë ndaj të dyshuarit

Një vrasje e rëndë pati ndodhur në mars të këtij viti, ku 19-vjeçari, Bleron Dibrani pati vrarë me armë zjarri bashkëmoshatarin e tij me inicialet A.Z,në rrugën “Galip Badivuku”, në Vushtrri, shkruan Mitropol.
Viktima kishte pësuar plagë të shumëfishta si pasojë e të shtënave me armë, pasi ishte goditur në trup me tre plumba, duke i shkaktuar kështu dëme të rënda në mëlqi dhe mushkëri, si dhe gjakderdhje masive, ku si pasojë edhe kishte ndërruar jetë në Repartin e Emergjencës së Spitalit të Vushtrrisë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj Bleron Dibranit për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Sipas Prokurorisë, gjatë arrestimit, Bleron Dibranit i është gjetur dhe sekuestruar arma me të cilën është kryer vepra penale, dhe e cila ka qenë në posedim të paligjshëm.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin t`a shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe t`a dënojë sipas ligjit”, ka njoftuar Prokuroria.







