Aurora Group
LAJME

“Washington Post”: ShBA-ja e vendet arabe po bëjnë një plan për paqe e shtetësinë e Palestinës

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, dhe një grup i vogël i partnerëve në Lindje të Mesme po nxitojnë për të kompletuar një plan të hollësishëm e gjithëpërfshirës për paqe afatgjatë mes Izraelit e palestinezëve, përfshirë një afat të prerë për formimin e një shteti palestinez, që mund të publikohet pas disa javëve, raporton gazeta e njohur amerikane, “The Washington Post”.

Urgjenca e kësaj përpjekjeje është e lidhur drejtpërdrejt me një pauzë të propozuar në luftime dhe me lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi në Gaza, për të cilat po zhvillohen bisedime nga Shtetet e Bashkuara, Katari e Egjipti, raporton e përditshmja prestigjioze.

Premium Store

Një armëpushim fillestar, i planifikuar që të zgjasë të paktën gjashtë javë, do të ofronte kohë për ta bërë planin publik, për të siguruar përkrahje shtesë dhe për t’i bërë hapat fillestarë drejt zbatimit të tij, përfshirë formimin e një qeverie të përkohshme palestineze, sipas zyrtarëve amerikanë e arabë. Planifikuesit shpresojnë që të arrihet një marrëveshje për pengjet para Ramazanit, muaji kur myslimanët agjërojnë e që fillon më 10 mars.

“Çelësi është marrëveshja për pengjet” – tha një zyrtar i ShBA-së në mesin e disa diplomatëve amerikanë e arabë që e diskutuan këtë temë në kushte anonimiteti për ta shmangur daljen e planit nga binarët para kompletimit të tij.

Megjithatë, edhe pse pjesëmarrësit planifikues – përfshirë Egjiptin, Jordaninë, Katarin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe përfaqësuesit palestinezë, bashkë me Shtetet e Bashkuara – po punojnë për të arritur një marrëveshje mes vete, ka frikë të re se një sulm i pritshëm izraelit ndaj qytetit Rafah do ta përkeqësojë krizën e Gazës dhe do t’i varrosë edhe marrëveshjen për pengjet, edhe përpjekjet për paqe afatgjatë.

“Elefanti në dhomën” e planifikimit është Izraeli dhe nëse qeveria e këtij vendi do të pajtohet me një pjesë të madhe të asaj që po diskutohet: tërheqjen e shumë, nëse jo të gjitha, komuniteteve të kolonëve në Bregun Perëndimor; një kryeqytet palestinez në Jerusalemin Lindor; rindërtimin e Gazës dhe rregullimet e sigurisë e qeverisjes për një Breg Perëndimor e Gaza të kombinuar. Shpresa është që edhe Izraelit do t’i ofrohen garanci specifike të sigurisë dhe normalizim me Arabinë Sauditee me shtete të tjera arabe, përfitime që vështirë se do të refuzoheshin.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm për ta ndryshuar pozicionin qoftë për kërkesat e Hamasit për një marrëveshje për pengjet, qoftë për kundërshtimin e tij ndaj një shteti palestinez.

“Secili që flet për një zgjidhje me dy shtete – mirë, unë pyes, çfarë nënkupton me këtë? A duhet të kenë palestinezët një ushtri?… A duhet të vazhdojnë t’i edukojnë fëmijët e tyre për terrorizëm e asgjësim? Natyrisht, unë them, natyrisht se jo” – tha Netanyahu të dielën.

Rrethi i mbështetjes për një plan të prerë shkon përtej grupit të vogël të atyre që po punojnë drejtpërdrejt. Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron, ka shprehur interesim publik për njohjen e hershme të një shteti palestinez.

Bashkimi Evropian “po afrohet… për të parë se si mund të punojmë së bashku për të pasur një plan më të madh që në të vërtetë përqendrohet në arritjen te fundi i konfliktit” – tha Sven Koopmans, përfaqësues i posaçëm i BE-së për procesin e paqes në Lindje të Mesme.

“Ky është një proces i vërtetë i paqes që dëshiron të çojë te një shtet palestinez të pavarur, të njohur plotësisht dhe një shtet të sigurt të Izraelit të integruar plotësisht në rajon. A është kjo e realizueshme? Është tepër e vështirë, por në mungesë të ndonjë plani tjetër, ne jemi të interesuar për ta ndjekur këtë” – shtoi ai.

Shtetet e përfshira shpresojnë që t’i diskutojnë planet e tyre me udhëheqës nga Evropa e përtej saj në Konferencën e Mynihut për Sigurinë, e cila fillon të premten.

Zyrtarët amerikanë thanë se në menynë e veprimeve në shqyrtim e përfshijnë njohjen e hershme të një shteti palestinez nga ShBA-ja – edhe përderisa po zbatohen elemente të reformës politike, garancive të sigurisë për Izraelin e palestinezët, normalizimit dhe rindërtimit.

“Ne nuk duam që ta humbim momentumin e këtij çasti duke e bërë këtë në pjesë” – tha një zyrtar amerikan i njoftuar për bisedimet. Sipas tij, ekziston një dëshirë që të dihet se “si duket kjo nga dita e parë”./Nacionale/

Premium Store