Medi
KULT'ARTLAJMESHQIPËRI

Zbulohet varri i një romaku të pasur në Shqipëri

Arkeologët në Shqipëri kanë zbuluar një dhomë të madhe varrimi romake që daton nga shekulli i tretë deri i katërt pas Krishtit, zbulimi i parë i këtij lloji në shtetin ballkanik që dikur ishte pjesë e Perandorisë Romake.

Të lajmëruar nga banorët lokalë që kishin vënë re disa gurë të çuditshëm në një pllajë pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, punonjësit e Institutit të Arkeologjisë filluan gërmimet në fillim të gushtit dhe gjetën strukturën nëntokësore, pllakat e mëdha gëlqerore të së cilës ishin të gdhendura me shkrime greke, shkruan Reuters, transmeton Mitropol.

Aurora Group

“Mbishkrimi na tregon se personi i varrosur këtu quhej Gelliano, një emër tipik i periudhës romake. Nuk jemi të sigurt për identitetin e individit të dytë, por ka gjasa të ketë qenë një anëtar i familjes,” tha Erikson Nikolli, arkeologu udhëheqës i projektit.

Varri, i cili ka përmasa nëntë metra me gjashtë metra është zbulimi i parë në Shqipëri që mendohet të jetë vendprehja e një personi të pasur, më madhështor se varrezat e tjera të gjetura në zonë.

Autoritetet lokale në Shqipëri, ku turizmi po lulëzon, tashmë po planifikojnë ta zhvillojnë vendin si një atraksion turistik, ndërsa banorët u dyndën në zonë sapo dëgjuan lajmin për zbulimin.

Javën e kaluar, ekipi i Nikollit përdori furça për të zbuluar skajet e punuara hollë të gurit të bardhë të çatisë dhe mureve të varrit.

“Gjithashtu zbuluam një copë pëlhure të qëndisur me fije ari, çka konfirmon bindjen tonë se kemi të bëjmë me një anëtar të shtresës së lartë.”

Zbulime të tjera përfshijnë pjata qelqi dhe thika.

Nikolli tha se varri ishte grabitur të paktën dy herë – një herë në antikitet dhe më vonë kur makineri të rënda ishin përdorur për të lëvizur një shkëmb masiv mbi dhomën.

Ai shpjegoi se emri i të varrosurit ishte i gdhendur me shkronja greke, por mbante kuptim latin, ndërsa një mbishkrim i dytë tregon se varri i ishte kushtuar zotit Jupiter.

Ekspertët ende nuk i kanë deshifruar mbishkrimet shtesë në gurët e gjetur aty pranë, të cilët besohet se i përkisnin një monumenti tjetër që sot është i rrethuar nga fusha misri dhe një gurore./Reuters/Mitropol/

Koha