Dukato 2
02SPORT

“Zëri i një heroine të sportit dhe rezistencës – Rrëfimi i profesoreshës Pakize Kosova”

Në kuadër të ciklit të emisioneve “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës”, ku në fokus janë rrëfimet e grave mitrovicase për sakrificat dhe sfidat gjatë viteve të okupimit, pra viteve 1980–90, një ndër gratë që ka dhënë kontribut të shquar në sportin kosovar është profesoresha mitrovicase, Pakize Kosova.

Profesoresha Pakize Kosova, në këtë rrëfim, shpalosi detaje të shumta nga jeta e saj, përfshirë sfidat e shkollimit, rreziqet dhe peripecitë që i ka kaluar si pasojë e rezistencës ndaj regjimit serb, si dhe kontributin në sport.

Active

Rrëfimin e saj ajo e nisi duke treguar për fillimin e studimeve, të cilat së pari i kishte nisur në drejtimin e stomatologjisë.

“Meqenëse drejtimi ynë ishte i pari që filloi, shumica e mësimdhënësve ishin nga Serbia, shumë pak kemi pasur kuadro shqiptare. Deri në vitin e dytë a të tretë, një provim i vitit të dytë kurrë s’më ka kaluar. Jam ankuar, 2–3 vjet kanë kaluar pa e shqyrtu ankesën, edhe mandej, e dëshpëruar, pushova nja 2 vjet. S’disha kah t’ia mbaj, si me ia bërë. Në Sarajevë me shku ishte e vetmja zgjidhje, por kushtet nuk i kishim. Mandej vendosa me marrë drejtimin që unë e kam ndjerë për zemër. E mora Fakultetin e Kulturës Fizike, të cilin e kam kryer dhe iu kam përkushtuar me gjithë zemër,” tregoi ajo.

Mësimdhënësja Pakize Kosova tha se, pasi u kyç në arsim, përveç si mësimdhënëse e sportit, ka ligjëruar edhe gjuhën angleze, pasi ishte njohëse e mirë e gjuhëve.

Tutje, ajo foli edhe për demonstratat e viteve ’80.

“Në vitet ’80 kam qenë pjesëmarrëse pothuajse në të gjitha protestat e qytetarëve që protestonin kundër regjimit represiv të atëhershëm – demonstratat e marsit 1981 e tutje. Ato demonstrata eskaluan, prej nga forcat gjakpirëse të policisë lanë të vdekur 11 persona dhe shumë të plagosur. Por, ka pasur viktima edhe në anën tjetër,” tha ajo.

Profesoresha theksoi se, fillimisht, demonstratat ishin promovuar si sociale për shkak të kushteve dhe disbalancit social e nacional, por më pas kishin marrë drejtim politik. Ajo tregoi se gjatë atyre viteve kushtet kishin qenë të vështira dhe pagat simbolike.

“Ka pasë kohë që në shtëpi nuk kam pasur as një lugë kripë. S’jam e vetmja, e di, ka pasë plot kolege të mia që kanë hekë. Unë kam arritur me mbijetuar falë ndihmave të herëpashershme të familjarëve që i kishim jashtë,” u shpreh ajo.

Ndër të tjera, profesoresha Pakize Kosova tregoi se bashkëshorti i saj ishte dënuar me burgim për terrorizëm, për shkak të rezistencës së tij kundër regjimit serb.

“Burgimi për terrorizëm atëherë, njësoj si sot, barazohej me burgim të përjetshëm ose pushkatim,” tha ajo, duke shtuar se për shkak të këtij dënimi ishin detyruar të braktisnin vendin.

“Shoku ka dalë para meje një mbrëmje. Autobusi që bartte për çdo natë njerëz që iknin jashtë shtetit ishte plot. Ai ishte në rrezik të madh. Unë mendova se për neve s’kishte lidhje. Një gjykatëse e ndjerë më tha: ‘Ti a hala s’je nisë? Menjëherë nisu!’ Veç i mora fëmijët dhe u ngjita në autobus fshehurazi, sepse e kishin rrethuar krejt lagjen Bajri. Hynë në shtëpinë tonë dhe i gjetën krejt sendet në bodrum, ku shoku i kishte fshehur.”

Në Sarajevë, kur kishin shkuar, kishte apel për kapjen e një gruaje me katër fëmijë, por fati dhe “ymëri” e shpëtuan. Autobusi i tyre kaloi, ndërsa tjetri u vonua. Po kërkonin një nënë me katër fëmijë. “Ishin të hallakatur, e unë kalova,” tregoi ajo.

“Synimi ynë ishte të shkonim në Perëndim, por gati dy muaj nuk kemi mundur në asnjë mënyrë. Niseshim, na kthenin. Me katër fëmijë nuk mund të fshiheshe,” rrëfeu Kosova.

Ajo tregoi se, me ndihmën e miqve, kaluan disa shtete për të arritur në destinacionin e tyre – Luksemburgun.

“Në Luksemburg ishte parajsa jonë. Na trajtuan shumë mirë. Qëndruam aty rreth 16 muaj. Gjatë asaj kohe fillova angazhimet e mia humanitare. Kishte refugjatë kosovarë që mblidhnin ndihma, kontribuonim. U kyça në një klub luksemburgas, kam luajtur ‘Indiaka’ – një lojë sportive që s’e kisha dëgjuar kurrë. Ishte e ngjashme me volejbollin. U bëra pjesë e ekipit për 5–6 muaj. Ndërkohë, fillova të punoja në një restorant, duke përgatitur sandviçe,” tha ajo. Po ashtu, tregoi se kishte kërkuar nga “Caritasi” që të mos merrte më ndihma sociale, pasi ishte profesoreshë në Kosovë dhe mund të kontribuonte edhe në Luksemburg.

Tutje, ajo rrëfeu për një tjetër kthesë të jetës – rikthimin në Kosovë.

“U riktheva vullnetarisht në Kosovë. Pas luftës, shtëpia ishte shkatërruar tërësisht. E vetmja që nuk ishte djegur ishte sepse pranë e kishim një shtëpi serbe dhe ata kishin djegur të gjithë lagjen, përveç së vetës.

Kur u ktheva në ’99-n, punova deri në 2002-shin. Mandej dola në Mitrovicë. Fillova në ‘Migjen’, pastaj në ‘Hivzi Sylejmani’ e një kohë në ‘Abdullah Shaban’. Por në vitin 2002 u ktheva në ‘Migjen’, ku punova deri më 2022 – deri në pensionim,” tregoi ajo.

Pakize Kosova tha se sporti për të është vet jeta. Duke parë që qyteti i Mitrovicës ka shumë sportistë në fusha të ndryshme, por mungonte zhvillimi i volejbollit, ajo vendosi ta zhvillonte këtë sport në qytet.

“Fillova me nxënësit e shkollës ‘Migjeni’. Ishin 1200–1300 nxënës. Në orët e mia, i identifikoja ata që ishin më të talentuar. Në vitin 2008 e hapa klubin e volejbollit për vajza, Klubi ‘Trepça’. Shkojsha me afishe e i tregoja se është klub i volejbollit dhe kushdo që donte ishte i mirëseardhur. Gjithmonë falas. Kurrë s’i kam kërkuar askujt as edhe një cent. Kam pasur edhe fëmijë nga komunitetet minoritare, kam punuar me romë, gjithmonë i kam përfshirë,” tha ndër të tjera profesoresha.

Profesoresha tregoi se palestra “Minatori”, që është palestra e qytetit të Mitrovicës, fillimisht nuk kishte kushte për zhvillimin e volejbollit, por ajo ushtroi presion ndaj institucioneve për 2–3 vite, derisa u krijuan kushtet.

“Që nga viti 2009, asnjëherë nuk ka qenë numër më i vogël se 100 vajza të reja. Kemi pasur një vërshim të madh në volejboll. Prej se e kam themeluar unë, çdo vit ka pasur interesim të jashtëzakonshëm,” tha me krenari ajo.

Në fund, profesoresha tregoi gazetat e shumta vendore dhe të huaja që kanë shkruar për sukseset e klubit, duke theksuar se Klubi i Volejbollit “Trepça”, i themeluar nga ajo, ishte klubi i parë nga Kosova që doli jashtë vendit pas luftës.

Ndiqni intervistën e plotë në linkun e mëposhtëm:

VIDEO

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Premium Store