Çele guri gojën – Drita Kadriu nuk flet për videon e zyrave të mbyllura të DKA-së në orar të punës

Me orarin zyrtar, puna në Komunën e Mitrovicës fillon në ora 08:00 dhe mbaron në ora 16:00, por kjo nuk ishte edhe aq e rëndësishme për Drejtorinë e Arsimit në Mitrovicë. As zyra e drejtoreshës, Drita Kadriu e as ato të punonjësve të drejtorisë që ajo drejton nuk ishin të hapura kur “Mitropol” shkoi për t’i vizituar.
Pas ankesës që portali pranoi nga një palë e cila kishte shkuar në DKA për t’u interesuar për konkurset e kësaj drejtorie e palë e cila tha se askush nga zyrtarët nuk ndodhej aty, “Mitropol” shkoi vet për ta parë gjendjen dhe vërtetoi pohimet e palës se në orarin zyrtar të punës, në Drejtorinë e Arsimit askush nuk ndodhej në punë dhe të gjitha zyret ishin të mbyllura, gjë të cilën “Mitropol” e faktoi edhe me video.
Bazuar në ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës, edhe nëse drejtoresha nuk ndodhet aty, të paktën dikush nga zyrtarët do duhej të ndodhej në punë për t’u ofruar shërbime palëve që i drejtohen Drejtorisë.
Edhe pse për rastin u raportua të premten, drejtoresha Kadriu as që mori mundin të arsyetohej për këtë skandal në drejtorinë që udhëheq.
Për të marrë një arsyetim nga ajo, “Mitropol” edhe sot e thirri drejtoreshën në telefon, thirrje kjo e cila përfundoi pa sukses, pasi Kadriu nuk e mori mundin fare ta hapte telefonin deri në momentin e botimit të tekstit.
Por Kadriu nuk është edhe aq pasive në Facebook, pasi që nga e premtja ajo bëri hiç më pak se tri postime, asnjë nga të cilat nuk e shfrytëzoi për ta arsyetuar skandalin e zyreve të mbyllura në pikë të ditës.
Kujtojmë se një rast i ngjajshëm me këtë kishte ndodhur në Komunën e Vushtrrisë, kur askush nga punonjësit e Drejtorisë së Inspeksionit nuk ndodhej në vendin e punës në orarin zyrtar, rast ky i cili pas raportimit ekskluziv të “Mitropol” kishte rezultuar me shkarkimin e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit në këtë komunë./Mitropol/








