‘Trepça e pastër si kristalet tona’, KB Trepça hedh poshtë akuzat e KB Sigal Prishtinës për ryshfet ndaj referëve

Disa ditë më parë, më 20 prill u mbajt ndeshja e tretë e gjysmëfinales së playoff-it mes KB Prishtina dhe KB Trepça.
Referët e kësaj ndeshje ishin referët vendas, gjersa në dy ndeshjet e kaluara referë të ndeshjeve ishin referët grekë, Zacharis dhe Vardaris, shkruan ‘Mitropol’.
Sipas pretendimeve të KB Sigal Prishtinës arsyeja e ndërrimit të referëve ka qenë ryshfeti që ata kanë marrë nga ana e përkrahësve të Trepçës, në favorizim të këtyre të fundit.
KB Trepça përmes një njoftimi zyrtar të bërë disa minuta më parë, ka njoftuar se gjëra të tilla nuk është e vërtetë të kenë ndodhur dhe se presin që organet e rendit të zbardhin pretendimet e KB Sigal Prishtinës.
“TREPÇA, ashtu si kristalet e minierës sonë, është plotësisht e pastër” thuhet në njoftim.
Tutje anëtarë të KB Trepça, kanë thënë për ‘Mitropol’ se kampionët nuk mposhten me shantazhe dhe mashtrime./Mitropol/
TREPÇA, e pastër si kristalet tona
Të nderuar tifozë të zjarrtë të skuadrës sonë. Të nderuar adhurues të basketbollit kosovar në përgjithësi.
Me vëmendje kemi lexuar një komunikatë të lëshuar sot nga klubi tjetër i Superligës së Kosovës në basketboll, KB Sigal Prishtina. Me shqetësim kemi lexuar pretendimin e klubit prishtinas se ka pasur përpjekje për të manipuluar ndeshjen e kaluar të gjysmëfinales së play-offit.
Klubi ynë nuk është dhe nuk ndjehet pjesë e këtyre zhvillimeve jashtë fushës së basketbollit. TREPÇA, ashtu si kristalet e minierës sonë, është plotësisht e pastër. KB Trepça nuk merret me gjëra që nuk i takojnë sportit dhe me “lojëra” jashtë parketit.
Prandaj, ftojmë organet përgjegjëse të hetuesisë së shtetit tonë dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës që të kryejnë punën e tyre dhe të zbardhin pretendimet e klubit Sigal Prishtina. Gjithashtu ftojmë dhe do të insistojmë si klub që të zbardhen jo vetëm këto pretendime, por të gjitha dyshimet për parregullsi në basketbollin kosovar në vitet e fundit.
Ka tri vjet që kryesia aktuale e KB Trepça jep maksimumin për ta ngritur basketbollin kosovar në nivelin më të lartë. Me mburrje të plotë themi se këtë e kemi arritur. Ndjehemi krenarë që interesimi për basketbollin kosovar është në kulm dhe që klubi ynë ishte katalizator i kësaj ngritjeje të mahnitshme.
Klubin e morëm me shumë telashe e vështirësi. Për tri vjet e kemi kthyer në organizatë sportive shumë të suksesshme, shembull për korrektësi me të gjitha palët e përfshira: lojtarët, trajnerët, agjentët e lojtarëve, FBK-në e klubet tjera.
Jemi në ngritje të vazhdueshme sa i përket suksesit sportiv. Kemi luajtur shumicën e finaleve dhe kemi fituar trofe.
Prandaj nuk lejojmë në asnjë mënyrë që të përlyhet emri i madh TREPÇA. Me përkushtim dhe vendosmëri do të mbrojmë punën tonë, djersën tonë dhe imazhin e klubit, që i bënë nder basketbollit e sportit kosovar në përgjithësi.
Do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje dhe do të insistojmë që të zbulohen gjitha parregullsitë e pretenduara.
E përsërisim, si klub jemi plotësisht të pastër dhe në asnjë mënyrë nuk jemi të përfshirë në këto zhvillime.
Tifozët tanë i ftojmë që të qëndrojnë pranë klubit e ekipit. Jemi të fokusuar për organizim madhështor të ndeshjes së ardhshme gjysmëfinale të plejofit. Për të dëshmuar që TREPÇA është shumë e madhe dhe plotësisht e pastër. E pastër kristal.
Me respekt
Kryesia e KB TREPÇA








