Active 2
02KOSOVËLAJME

Mungesa e gjinekologut lë jofunksionale gjinekologjinë në QKMF-në e Skenderajt që dy vite, mbi 213 raste lindjeje detyrohen të trajtohen në Mitrovicë

Prej rreth dy vitesh, Reparti i Gjinekologjisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj vazhdon të mos jetë funksional për shkak të mungesës së specialistit të gjinekologjisë, ndërsa qindra paciente po detyrohen të marrin shërbime në institucionet tjera shëndetësore, raporton Mitropol.

Drejtori i QKMF-së në Skenderaj, Ilir Havolli, ka bërë të ditur për Mitropol, se që nga pensionimi i gjinekologut specialist para rreth dy vitesh, kjo pozitë ka mbetur e paplotësuar, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme institucionale.

Medi

Sipas tij, QKMF-ja në Skenderaj,  posedon hapësirat dhe pajisjet e nevojshme për ofrimin e shërbimeve gjinekologjike, mirëpo sfida kryesore mbetet mungesa e stafit specialistik.

“Pavarësisht shpalljeve të vazhdueshme të konkursit, deri më tani nuk ka pasur interesim nga specialistët e gjinekologjisë”, thuhet në përgjigjen e Havollit.

Nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal  “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, kanë bërë të ditur për Mitropol, se gjatë vitit 2025 janë realizuar 231 lindje të nënave nga Skenderaj, si dhe janë evidentuar 323 raste ambulantore gjinekologjike nga kjo komunë.

Zëdhënësi i Spitalit Rajonal të Mitrovicës, Shpend Fazliu, tha se këto shifra tregojnë numrin e madh të pacienteve që po marrin shërbime në Mitrovicë për shkak të mosfunksionalizimit të repartit në Skenderaj.

Ai shtoi se kjo situatë ka ndikuar edhe në rritjen e ngarkesës në Repartin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Mitrovicë, pasi aty po trajtohen paciente jo vetëm nga Mitrovica, por edhe nga Skenderaj e Vushtrria.

“Kjo situatë ka ndikuar edhe në rritjen e ngarkesës së repartit tonë të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, pasi krahas pacienteve nga Mitrovica,  dhe komunat tjera, po trajtohen edhe një numër i madh i grave shtatzëna dhe pacienteve gjinekologjike nga Skenderaj e Vushtrria, e që ka Spitalin funksional”deklaroi Fazliu.

Nga ana tjetër, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Publike në Skenderaj, Hasan Hoti, konfirmoi se konkursi për pozitën e gjinekologut është shpallur disa herë, por pa asnjë kandidat të interesuar.

Sipas tij, aktualisht institucionet komunale ndodhen në fazën e përgatitjes për rishpalljen e konkursit, me synim sigurimin e këtij shërbimi esencial për qytetarët.

Hoti bëri të ditur për Mitropol, gjithashtu se do të parashtrohet kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë, për specializime në fushën e gjinekologjisë për mjekët që shprehin interesim, me qëllim krijimin e kapaciteteve profesionale dhe rikthimin e shërbimit në QKMF-në në Skenderaj.

“Aktualisht, ndodhemi  në fazën e përgatitjes për rishpalljen e konkursit për specialist të gjinekologjisë, me qëllim të sigurimit të këtij shërbimi esencial për qytetarët”, deklaroi ndër të tjerash Hoti.

Dukato 1