Premium Store
02KOSOVËLAJME

I përfundoi koha e qëndrimit në motel, por nuk përgjigjej në telefon – 52-vjeçari gjendet i vdekur me fytyrë të mavijosur në “Flamingo”

Një ngjarje e rëndë dhe me rrethana ende të paqarta ka ndodhur të premten në motelin “Flamingo”, në fshatin Shupkovc të Mitrovicës së Jugut. Një klient, të cilit i kishte përfunduar koha e qëndrimit në motel, është gjetur i pajetë në dyshemenë e dhomës, me fytyrë të mavijosur. Prokuroria ka nisur hetimet dhe ka kërkuar të verifikohet nëse ndonjë person tjetër ishte larguar nga dhoma.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi që është gjetur i vdekur është I.V, rreth 52 vjeç.

Dukato 1

Ngjarja është raportuar më 27 nëntor, rreth orës 14:25, nga recepsionisti i motelit, i cili kishte tentuar të kontaktonte klientin pasi atij i kishte përfunduar koha e qëndrimit.

Telefonatat kishin mbetur pa përgjigje, ndaj recepsionisti kishte shkuar te dritarja e dhomës për të parë se çfarë po ndodhte.

Aty kishte vërejtur 52-vjeçarin të shtrirë në dysheme, me fytyrë të mavijosur.

Recepsionisti kishte hapur derën e dhomës dhe kishte njoftuar menjëherë Policinë.

Në motel kanë dalë patrullat policore, hetuesit, ekspertët e kriminalistikës dhe ekipi i Emergjencës. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e 52-vjeçarit në vendin e ngjarjes.

Prokurori i Shtetit ka kërkuar sigurimin e pamjeve të kamerave të sigurisë që mbulojnë qarkullimin e automjeteve në motel dhe verifikimin nëse ndonjë person tjetër ishte larguar nga dhoma ku u gjet viktima.

Me udhëzim të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar.

Active