“Shoqëria ende toleron sjellje abuzive”, 2055 raste të dhunës ndaj grave në Kosovë për 10 muaj
Në një botë ku zhvillimi dhe përparimi janë qëllime universale, dhuna me bazë gjinore vazhdon të jetë pengesë e madhe për arritjen e këtyre objektivave, shkruan Mitropol.
Rastet e dhunës me bazë gjinore vazhdojnë të jenë të larta edhe në vendet e vogla si Kosova.
Vetëm nga janari deri në tetor të këtij viti në Kosovë janë raportuar 2574 raste të dhunës, prej të cilave 2055 të rasteve viktima kanë qenë gratë.
Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, viktimat e dhunës më së shpeshti kanë qenë të moshës 30- 40 vjeçare.
Sipas psikologes Syzana Baftiu, normat patriarkale dhe mungesa e edukimit janë ndër faktorët kryesorë që ‘ushqejnë’ dhunën.
“Shoqëria ende toleron sjellje abuzive, duke normalizuar dhunën në marrëdhëniet gjinore. Frika nga stigmatizimi dhe mungesa e ndërgjegjësimit pengojnë viktimat të kërkojnë ndihmë,” thotë ajo.
Ndërsa Mirishahe Syla, aktiviste, thotë se edukimi familjar luan një rol vendimtar.
“Fëmijët shpesh rriten në një mjedis ku dhuna shihet si normale. Kjo formon qëndrimet e tyre ndaj marrëdhënieve gjinore në të ardhmen,” thekson ajo.
Syla poashtu tregon se çfarë roli ka pabarazia ekonomike në shtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore.
“Presionin dhe problemet përfshirë ato mendore që mund t’i shkaktojnë mungesa e mirëqenies ekonomike, shpesh krijon rrethana që njerëzit të tentojnë përdorin dhunën, sidomos ndaj atyre që ata i konsiderojnë më të dobët, këtu përpos individëve të dhunshëm, fajin e kanë mbi të gjitha institucionet publike të cilat kanë përgjegjësi që të sigurojnë mirëqenien e të gjithëve.”, tha ajo.
Të dy ekspertet bien dakord se institucionet shpesh nuk arrijnë të japin mbështetjen e duhur për viktimat.
Baftiu tha se trajtimi i ngadaltë i rasteve dhe mungesa e shërbimeve të posaçme i lë viktimat të pasigurta.
Nga ana tjetër, Syla u shpreh se ndonëse mekanizmat ekzistojnë, ata janë shpesh joefikasë për shkak të neglizhencës institucionale.
Psikologe Syzana Baftiu tregon se dhuna me bazë gjinore lë pasoja të thella dhe afatgjata psikologjike tek viktimat, duke ndikuar në mirëqenien e tyre emocionale, mendore dhe sociale.
“Viktimat shpesh përjetojnë ndjenja të vazhdueshme frike, ankthi dhe trishtimi, që mund të çojnë në depresion kronik. Përjetimi i dhunës mund të shkaktojë kujtime të përsëritura dhe të dhimbshme të ngjarjes, ëndrra të këqija dhe shmangie të situatave që i kujtojnë viktimës traumën.Viktimat shpesh ndihen përgjegjëse për dhunën që kanë përjetuar, gjë që ndikon negativisht në mënyrën se si e shohin veten”, u shpreh tutje Baftiu.
Mes tjerash ajo tha se perceptimi i shoqërisë kosovare për dhunën ndaj grave ka evoluar me kalimin e viteve, por sfidat mbeten ende të pranishme.
Përndryshe një në tre gra në Bashkimin Evropian ka përjetuar ndonjë formë të dhunës me bazë gjinore gjatë jetës dhe rreth 50 milionë gra në mbarë BE-në ende përjetojnë nivele të larta të dhunës seksuale dhe fizike në shtëpi, në punë dhe në hapësira publike, sipas një sondazhi të publikuar nga Agjencia për të Drejtat Themelore (FRA), Instituti Evropian për Barazi Gjinore (EIGE) dhe Eurostat./Mitropol/