Policia e konfirmon për “Mitropol”: Një i vdekur nga aksidenti në Kutllovc, shoferi shoqërohet në polici

Një aksident trafiku ka ndodhur rreth një orë më parë në Kutllovc të Mitrovicës.
Si pasojë e aksidentit një 30 vjeçar ka humbur jetën.
Siç mëson “Mitropol” nga burimet e veta, një person është rrotulluar me veturë dhe para se të rrotullohet ka goditur 30 vjeçin i cili është dërguar pa shenja jete në spital.
Informacioni është konfirmuar për “Mitropol” nga zëdhënësi i Spitalit të Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri”, Shpend Fazliu.
Sipas Fazliut, përkundër përpjekjeve për reanimim në vendngjarje dhe më pas në spital nga stafi mjekësor, fatkeqësisht ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e të riut.
Rasti është konfirmuar për “Mitropol”, edhe nga Zëdhënësi i policisë për Mitrovicën e jugut, Avni Zahiti.
“Rreth orës 21:37, Policia në Mitrovicë ka pranuar informacion për një aksident trafiku në fshatin Kutllovc të Mitrovicës. Sipas informatave fillestare, si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident, ka humbur jetën një person mashkull rreth 31-vjeçar. Hetuesit policorë në koordinim me prokurorin, janë duke zhvilluar hetime për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.”, tha Zahiti për “Mitropol”.
Siç mëson “Mitropol”, viktima e aksidentit është nxjerrë nga vendi i ngjarjes me vështirësi nga ekipet emergjente të cilat u ndihmuan edhe nga Policia./Mitropol/








