Kapiteni i Trepçës, Valdrin Haxhiu: Çështja e titullit nuk diskutohet, mbetet të shihet vetëm se a do të jetë me rezultat 3-0

Kapiteni i skuadrës së Trepçës, Valdrin Haxhiu është prononcuar para ndeshjes me skuadrën e Pejës.
Të dy skuadrat do të takohen ditën e diel në ndeshjen e dytë të finales, me ‘Minatorët’ që shkojnë të motivuar pas fitores në takimin e parë.
Në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, kapiteni Haxhiu tha se është jashtëzakonisht optimist se do ta fitojnë titullin kampion, por mbetet vetëm të shihet se me çfarë rezultati.
“Pas fitorës ndaj Prishtinës vetëbesimi tek ne është rritur në maksimum. Për momentin, tek ne nuk diskutohet se a do ta fitojmë titullin kampion, por diskutohet vetëm se a do ta fitojmë me rezultat 3 me 0, apo me një rezultat tjetër” tha Haxhiu.
Tutje, Haxhiu tha se si basketbollistët, ashtu edhe kryesia e klubit janë shumë të lumtur që kanë mbështetje të tyre një tifo-grup si ‘Torcida’.
“Çdo rezultat dhe çdo sukses i yni buron tek ‘Torcida’. Dëshira e madhe e qytetarëve dhe lidhja e tyre e fortë me basketbollin ka ndikuar që edhe njerëzit e duhur të jenë momentalisht në klub. Ata janë lojtari ynë i 6-të. Mund të themi lirisht që jemi i vetmi qytet që ka kërkesa ekstra për një palestër, por e di që edhe ata që nuk sigurojnë një vend në palestër janë gjithmonë me zemër në mbështetje të tonë”, përfundoi Haxhiu.








