Pellini
02KOSOVËLAJME

Trepça konfirmon lëndimin e punëtorit të tyre pas raportimit të Mitropol – Po hetohen shkaqet e incidentit

Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 4 gushtit në Minierën me Flotacion “Trepça-Stan Tërg”, ku një punëtor ka pësuar lëndime serioze gjatë procesit të punës, rast ky për të cilin raportoi eskluzivisht “Mitropol”.

Ekskluzivisht për “Mitropol”, burime të sigurta kishin konfirmuar që bëhej fjalë për mekanikun Fatmir Zeneli nga fshati Selac i Mitrovicës, i cili ishte lënduar teksa po kryente punën e tij në ndërrimin e pasdites, duke rregulluar një makinë për bartjen e xeheve.

Medi

Rasti është konfirmuar sot zyrtarisht për “Mitropol” edhe nga një përgjigje që Trepça Sh.A dha për mediumin, ku thuhet se incidenti ka ndodhur në horizontin IX, konkretisht në punishten 136, gjatë montimit të një gome të makinës vetëngarkuese që funksionon me ajër të komprimuar. Kjo makinë përdoret për transportin e xeheve brenda minierës.

Sipas konfirmimit zyrtar të Trepçës për “Mitropol”, punëtori i lënduar ndodhet jashtë rrezikut për jetë dhe aktualisht po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Fillimisht, ai kishte marrë ndihmën e parë në Emergjencën e Mitrovicës.

Pas incidentit, në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë Komisioni i Brendshëm i Trepça Sh.A. dhe inspektorati i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Dy institucionet janë duke zhvilluar hetimet e nevojshme dhe pritet një raport zyrtar lidhur me rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te lëndimi i punëtorit.

Rasti ka ngritur shqetësime të reja mbi sigurinë në vendin e punës në sektorin minerar, ndërkohë që familjarët dhe kolegët e punëtorit janë në pritje të një përmirësimi të gjendjes së tij shëndetësore dhe të zbardhjes së plotë të ngjarjes.

“Mitropol” do të vazhdojë ta ndjekë nga afër këtë rast dhe do të sjellë zhvillimet më të reja sapo të bëhen të ditura.

Weelnes