Active 2
02LAJME

Çele guri gojën – Drita Kadriu nuk flet për videon e zyrave të mbyllura të DKA-së në orar të punës

Tri ditë më parë, “Mitropol” raportoi se asnjë nga zyrat e Drejtorisë së Arsimit në Mitrovicë nuk ishte e hapur të premten, ani pse ora shënonte veç 11:28, kohë kjo kur supozohej se gjithkush duhej të ndodhej në vendin e punës.

Me orarin zyrtar, puna në Komunën e Mitrovicës fillon në ora 08:00 dhe mbaron në ora 16:00, por kjo nuk ishte edhe aq e rëndësishme për Drejtorinë e Arsimit në Mitrovicë. As zyra e drejtoreshës, Drita Kadriu e as ato të punonjësve të drejtorisë që ajo drejton nuk ishin të hapura kur “Mitropol” shkoi për t’i vizituar.

Pellini

Pas ankesës që portali pranoi nga një palë e cila kishte shkuar në DKA për t’u interesuar për konkurset e kësaj drejtorie e palë e cila tha se askush nga zyrtarët nuk ndodhej aty, “Mitropol” shkoi vet për ta parë gjendjen dhe vërtetoi pohimet e palës se në orarin zyrtar të punës, në Drejtorinë e Arsimit askush nuk ndodhej në punë dhe të gjitha zyret ishin të mbyllura, gjë të cilën “Mitropol” e faktoi edhe me video.

Nga ana tjetër, burime të “Mitropol” bënë të ditur se drejtoresha Drita Kadriu ndodhej në Shqipëri, pa lënë asnjë lajmërim për këtë, gjë të cilën “Mitropol” nuk arriti ta konfirmoj edhe nga vet Kadriu pasi e njejta nuk ishte e çasshme për portalin.

Bazuar në ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës, edhe nëse drejtoresha nuk ndodhet aty, të paktën dikush nga zyrtarët do duhej të ndodhej në punë për t’u ofruar shërbime palëve që i drejtohen Drejtorisë.

Edhe pse për rastin u raportua të premten, drejtoresha Kadriu as që mori mundin të arsyetohej për këtë skandal në drejtorinë që udhëheq.

Për të marrë një arsyetim nga ajo, “Mitropol” edhe sot e thirri drejtoreshën në telefon, thirrje kjo e cila përfundoi pa sukses, pasi Kadriu nuk e mori mundin fare ta hapte telefonin deri në momentin e botimit të tekstit.

Por Kadriu nuk është edhe aq pasive në Facebook, pasi që nga e premtja ajo bëri hiç më pak se tri postime, asnjë nga të cilat nuk e shfrytëzoi për ta arsyetuar skandalin e zyreve të mbyllura në pikë të ditës.

Kujtojmë se një rast i ngjajshëm me këtë kishte ndodhur në Komunën e Vushtrrisë, kur askush nga punonjësit e Drejtorisë së Inspeksionit nuk ndodhej në vendin e punës në orarin zyrtar, rast ky i cili pas raportimit ekskluziv të “Mitropol” kishte rezultuar me shkarkimin e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit në këtë komunë./Mitropol/

VIDEO DËSHMI NGA DREJTORIA

Premium Store