
Pesë ditë më parë, “Mitropol” raportoi ekskluzivisht se trejneri turk i klubit mitrovicas KB “Trepça”, Engin Gençoglu kishte dhënë dorëheqje nga pozita e trejnerit të klubit.
Dorëheqja erdhi dy ditë pas ndeshjes me Pejën ku Trepça pësoi humbje të thellë në Karagaç me rezultat 107-79.
Burime të “Mitropol” kishin njoftuar se dorëheqja erdhi pas mosmarrëveshjes së Gençoglut me kryesinë e klubit, por gazeta ka arritur të sigurojë ekskluzivisht detajet në lidhje me arysen e largimit të turkut Gençoglu.
Sipas këtyre burimeve, arsyeja e largimit lidhet me mundësinë që Gençoglu të emërohej trejner i Kombëtares së Kosovës në basketboll, pasi Gençoglut kur ishte kontraktuar për ta udhëhequr KB Trepçën i ishte premtuar se do bëhej çmos që ai të emërohej në krye të Kombëtares së Kosovës.
Me të kuptuar se ishte Rami Hadar, trejneri i KB Pejës ai që do udhëhiqte me kombëtaren, Gençoglu i ofroi dorëheqjen e tij kryesisë, duke u thënë se do menaxhonte me lojtarët vetëm edhe ndeshjen e ardhshme karshi Pejës.
Burimet e “Mitropol” njoftojnë se kryesia e klubit refuzoi që Gençoglu të drejtonte ndeshjen e radhës dhe e liroi atë nga detyra aty për aty.
Gençoglu u largua një ditë më pas duke marrë pas vetes edhe ndihmësin e tij nga Turqia i cili po i ndihmonte atij jozyrtarisht./Mitropol/








