KB Prishtina nuk do gjyqtarë të huaj në gjysmëfinalen vendimtare, hedh akuza për FBK-në e Trepçën

Klubi i basketbollit, Prishtina, ka akuzuar Federatën e Basketbollit të Kosovës se ka bashkëpunuar me Trepçën për ta caktuar orarin e ndeshjes së pestë gjysmëfinale në kundërshtim me Propozicionet e Garave. Ata madje kanë thënë se me gjykimin e dy ndeshjeve të fundit nga gjyqtarët vendorë ka rënë automatikisht dakordimi i klubeve që të ketë gjyqtarë të huaj.
FBK-ja ka njoftuar të martën se ka vendosur ta caktojë të dielën si ditën e ndeshjes të gjysmëfinales vendimtare mes Prishtinës dhe Trepçës. Seria është 2:2. Ndeshja ishte planifikuar të luhej të enjten, por për shkak që Kosova në hendboll do të luajë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, ndeshja duhej shtyrë. FBK-ja ka paralajmëruar se edhe në ndeshjet e mbetura do të ketë gjyqtarë të huaj.
Prishtina përmes një komunikate të martën mbrëma ka thënë se parregullsitë, kurdisjet, ryshfeti dhe presion nuk kanë të ndalur, duke hedhur akuza drejt FBK-së dhe Trepçës.
“Parregullsitë, kurdisjet, ryshfeti e presionet nuk kanë të ndalur dhe si vazhdimsi e kësaj klike keqbërësish, ju njoftojmë se FBK në koordinim të plotë me KB Trepca e në kundërshtim flagrant me rregulloret e vetë Federatës kanë lajmëruar arbitrarisht për termin të ndeshjes së pestë në kundërshtim me Propozicionet e Garave”, thuhet në reagim.
Prishtina ka thënë se caktimi që ndeshja të luhet të dielën nga FBK-ja është kundërshtuar “pasi që është në kundërshtim me të gjitha nenet e Propozicioneve të Garave që rregullojnë çështjen e orarit dhe organizimit të ndeshjes”.
“Kështu që sa i përket Prishtinës dhe Plisave, kudo e kurdo caktojeni, ne jemi të gatshëm”, thuhet në reagim.








