Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonelata thëngjill, e pesta në botë, por ku gjinden ato?

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonelata thëngjill dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi.
Sasinë më të madhe të energjisë elektrike, Kosova e prodhon nga djegia e thëngjillit në termocentralet e Obliqit.
Sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), kapaciteti total i gjenerimit të energjisë elektrike në Kosovë në vitin 2020 ka qenë 1,110 megavatë.
Nga kjo sasi 86.5 për qind janë nga termocentralet dhe pjesa tjetër janë hidrocentrale dhe burimet të ripërtërishme të energjisë (hidrocentrale, centrale me erë dhe panele fotovoltaike).
Vitet e fundit, Kosova ka pasur probleme të vazhdueshme sa i takon ndotjes së mjedisit, nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B, e po ashtu edhe nga djegia e thëngjillit nga bizneset dhe shtëpitë private.
Në matjet që bëhen vazhdimisht, Kosova shpesh herë renditet ndër vendet me ajrin më të ndotur në botë.
Kosova, po ashtu, vazhdon të përballet me ndërprerje të kohëpaskohshme të energjisë elektrike.
Në programin e Qeverisë së Kosovës për katër vjetët e ardhshëm, thuhet se do të hartojnë Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë dhe do të rishikojnë kornizën ligjore, që të jetë në harmoni të plotë me strategjinë e re të energjisë.
Aty thuhet se qeveria do të punojë në përmirësimin e menaxhimit të kapaciteteve ekzistuese energjetike, si bazë për siguri në furnizim energjetik dhe rrugë të drejtë gjatë tranzicionit e dekarbonizimit energjetik.
Rëndësi të veçantë, qeveria ka paraparë t’i kushtojë shqyrtimit të fizibilitetit të të gjitha mundësive për zhvillimin e sistemit të gazit natyror, si dhe krijimit të tregut sa më konkurrues energjetik.








