Në Evropë zbulohet rasti i parë i dyshimtë i virusit vdekjeprurës të Marburgut

Autoritetet spanjolle e kanë zbuluar rastin e parë të dyshimtë të virusit të Marburgut, sëmundje ngjitëse vdekjeprurëse që ka çuar në izolimin e mbi 200 personave në Guinenë Ekuatoriale, njoftuan të shtunën organet shëndetësore në rajonin e Valencias.
Një burrë 34-vjeçar, i cili ishte kthyer rishtazi nga Guinea Ekuatoriale, është dërguar në një njësi të izoluar të spitalit “La Fe” në Valencia nga një spital privat, përderisa testet janë duke u bërë, thanë autoritetet rajonale shëndetësore.
Virusi i Marburgut mund të ketë shkallë të fatalitetit deri në 88 për qind, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Nuk ka vaksina ose trajtime antivirale të miratuara për trajtimin e kësaj sëmundjeje, raporton agjencia “Reuters”.
Guinea Ekuatoriale futi në karantinë mbi 200 persona dhe e kufizoi lëvizjen më 13 shkurt në provincën Kie-Ntem, ku u zbulua së pari prania e kësaj sëmundjeje.
Shteti i vogël afrikan deri më tani ka raportuar për nëntë të vdekur e 16 raste të dyshimta të të infektuarve. Simptomat e sëmundjes janë temperatura e lartë, plogështia, vjellja me shenja gjaku dhe diarrea, sipas OBSh-së.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se do ta rrisë vëzhgimin epidemiologjik në Guinenë Ekuatoriale.
Autoritetet e Kamerunit zbuluan dy raste të dyshimta të virusit të Marburgut më 13 shkurt në Olamze, afër kufirit me Guinenë Ekuatoriale, njoftoi më 14 shkurt delegati rajonal për shëndet publik, Robert Mathurin Bidjang.
Kameruni e ka kufizuar lëvizjen përgjatë kufirit si masë për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.








