
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ku u diskutuan marrëdhëniet ndërshtetërore dhe zhvillimet rajonale.
Në qendër të bisedimeve ishte koordinimi i ngushtë politik dhe institucional, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit në politikën e jashtme për avancimin e interesave strategjike të përbashkëta. Të dy liderët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dyja shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë dialogun dhe bashkëpunimin.
Gjatë takimit u diskutua edhe angazhimi në kuadër të Bordit të Paqes, duke u theksuar roli i përbashkët në iniciativat globale që promovojnë sigurinë dhe vlerat demokratike. Kosova dhe Shqipëria u nderuan me ftesën e Presidentit Donald Trump për pjesëmarrje në Bord, si dëshmi e respektit dhe partneritetit me aleatët strategjikë.
Presidentja Osmani dhe Kryeministri Rama riafirmuan vullnetin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, duke përfshirë partneritetin ekonomik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani përgëzoi Kryeministrin Rama për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke e cilësuar si një zhvillim që forcon perspektivën evropiane të gjithë rajonit.
Në përmbyllje të takimit, Kryeministri Rama uroi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen euroatlantike.







