Medi
LAJME

Ankesë për Interex-in në Mitrovicë: Pretendohet se punëtorët detyrohen të punojnë 7 ditë rresht, nga ora 05:00 pa kompensim për orët shtesë

Një punonjës nga Mitrovica, i cili i është drejtuar redaksisë së Mitropol ka ngritur shqetësime lidhur me mosrespektimin e orarit të punës së punonjësve në marketin Interex në këtë qytet, duke pretenduar se atyre u kërkohet të punojnë jashtë orarit të zakonshëm dhe pa ditë pushimi gjatë javës.

Në ankesën e dërguar në redaksinë e Mitropol, punonjësi pretendon se kjo praktikë përsëritet disa herë brenda vitit dhe se punonjësit nuk kompensohen për orët shtesë të punës.

Active

Si dëshmi “Mitropol” ka diguruar një fotografi të një komunikimi në grupin e punonjësve në Viber, ku shihen njoftime lidhur me orarin e punës për javën e ardhshme.

Sipas mesazheve në fotografinë e siguruar nga Mitropol, punonjësit njoftohen se regjistrimi vjetor është caktuar për datën 19 tetor dhe se pushimet janë anuluar nga dita e hënë. Në të njëjtin komunikim thuhet se orari i punës është nëntë orë, ndërsa për një pjesë të stafit përmendet fillimi i punës nga ora 05:00 dhe fillimi i punës së pjesës tjetër të stafit nga ora 06:45.

Në një mesazh tjetër, një punonjës pyet nëse orari i përcaktuar vlen për tërë javën, duke marrë përgjigjen se ai vlen për gjithë javën.

Punonjësi që e ka dërguar ankesën pretendon se, sipas planifikimit të njoftuar, punonjësit do të duhet të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 14:00, shtatë ditë rresht, ndërsa orari i zakonshëm i ndërrimit të parë, sipas tij, është nga ora 07:00 deri në 15:00, me dy ditë pushimi gjatë javës.

Ai pretendon gjithashtu se kontratat e punës parashohin kompensim për orët e punuara jashtë orarit, por se ky kompensim nuk u bëhet punonjësve në rastet për të cilat ankohet.

Mitropol nuk ka arritur të konfirmojë në mënyrë të pavarur nëse orari i paraqitur zbatohet për të gjithë punonjësit, nëse puna shtesë kompensohet apo nëse janë marrë masa të tjera lidhur me pushimin e punonjësve. Fotografia e siguruar dëshmon ekzistencën e një komunikimi për orarin e punës, por nuk i vërteton në mënyrë të pavarur të gjitha pretendimet e ngritura në ankesë.

Në lidhje me rastin Mitropol ka kontaktuar edhe me Interex dhe Inspektoriatin e Punës dhe është i gatshëm t’i publikojë edhe sqarimet e kompanisë Interex dhe qëndrimin e inspektoriatit lidhur me këtë çështje.

Kompania është e mirëseardhur për të dhënë versionin e saj të ngjarjes dhe për t’iu përgjigjur pretendimeve të ngritura nga punonjësi./Mitropol/

Dukato 1