Mbi 405 mijë fëmijë përfitojnë nga shtesat në Kosovë, ASK publikon statistikat e skemave sociale

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për skemat e mirëqenies sociale gjatë muajit prill 2026, ku numrin më të madh të përfituesve e përbëjnë fëmijët që marrin shtesa nga shteti, shkruan Mitropol.
Sipas raportit, nga skema e shtesave për fëmijë kanë përfituar 405 mijë e 722 fëmijë, ndërsa shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara ka arritur në mbi 14.7 milionë euro.
Ndërkohë, pensionet bazike të moshës janë paguar për 164 mijë e 187 qytetarë, me një vlerë totale prej më shumë se 25.9 milionë eurosh. Pensionet kontributpaguese kanë përfshirë 48 mijë e 76 përfitues.
ASK bën të ditur se përveç këtyre kategorive, mbështetje financiare nga buxheti i shtetit marrin edhe familjet në asistencë sociale, veteranët e luftës, invalidët, familjet e dëshmorëve dhe kategori të tjera të përcaktuara me ligj.
Të dhënat pasqyrojnë vazhdimin e zbatimit të politikave sociale që synojnë mbështetjen e familjeve, të moshuarve dhe grupeve të ndryshme në nevojë në Kosovë.








