Premium Store
02KOSOVËLAJME

Hamza: Limaj do ta mbështesë PDK-në më 7 qershor, synohet bashkëpunim afatgjatë politik

Kandidati për kryeministër dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka bërë të ditur se Fatmir Limaj do ta mbështesë PDK-në në zgjedhjet e 7 qershorit, njofton Mitropol.

Përmes një postimi publik, Hamza tha se me Limajn i bashkojnë vlerat, idealet dhe përgjegjësia për vendin, duke shtuar se Kosova ka nevojë për bashkim, seriozitet dhe bashkëpunim në interes të qytetarëve.

Aurora Group

“Po, Fatmir Limaj do ta mbështesë Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit – dhe jo vetëm”, ka shkruar Hamza.

Ai theksoi se vlerat që i kanë afruar dikur, po i ribashkojnë sërish në një periudhë që sipas tij vendi ka nevojë më shumë se kurrë për stabilitet dhe bashkëpunim politik.

Sipas Hamzës, kjo mbështetje paraqet një hap të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi më të gjerë politik, institucional dhe qeverisës mes PDK-së dhe NISMA Socialdemokrate.

“Kjo mbështetje është një hap i rëndësishëm drejt një bashkëpunimi afatgjatë politik, institucional, qeverisës dhe partiak, për stabilitet, zhvillim dhe një Kosovë më të fortë”, thuhet në reagimin e tij.

Hamza gjithashtu falënderoi Limajn për, siç u shpreh ai, korrektësinë, mbështetjen dhe gatishmërinë për t’u bërë pjesë e një rrugëtimi të përbashkët politik.

Në fund të mesazhit, kandidati i PDK-së u bëri thirrje mbështetësve në Kosovë dhe diasporë që më 7 qershor “bashkë t’i thonë STOP krizës dhe ta ndryshojnë Kosovën”./Mitropol/

Dukato 1