
Në Mitrovicë është zhvilluar ceremonia e ndarjes së trofeut për ekipin e femrave të klubit KFF Mitrovica, i cili është shpallur kampion i Superligës së Futbollit të Femrave për sezonin aktual, shkruan Mitropol.
Skuadra mitrovicase ka arritur suksesin e shtatë radhazi në këtë garë, duke konfirmuar dominimin e saj në futbollin e femrave në Kosovë.
Përveç ekipit të parë, suksese janë shënuar edhe në grupmoshat e reja, ku KFF Mitrovica është shpallur kampione në dy kategori të reja U13 dhe U15, si dhe në gjithsej tri grupmosha të ndryshme të femrave.
Në ceremoninë e ndarjes së trofeut ka marrë pjesë edhe kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, i cili ka vlerësuar arritjet e klubeve dhe sportisteve të reja.
Autoritetet dhe klubi kanë theksuar se këto rezultate përfaqësojnë një sukses të rëndësishëm për sportin e femrave dhe zhvillimin e futbollit në vend.








