“61 pjesëtarë serbë të “Rojës së Urës” paguhen pa punuar, ndërsa ushtarëve të FSK-së nuk u paguhen orët shtesë”

Deputeti Eman Rrahmani ka kritikuar Qeverinë Kurti për mënyrën e shpërndarjes së mjeteve buxhetore, duke ngritur shqetësime për pagesat ndaj ish-pjesëtarëve të ashtuquajturës “Roja e Urës” në veri të Kosovës.
Sipas Rrahmanit, 61 pjesëtarë serbë të kësaj strukture kanë përfituar gjithsej 469,885 euro gjatë vitit 2025, pavarësisht pretendimeve se nuk kanë qenë aktivë në punë. Ai ka theksuar se këto pagesa vazhdojnë të bëhen nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Në të njëjtën kohë, deputeti ka ngritur shqetësimin se pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk u janë paguar orët shtesë të punës, shuma e papaguar ndaj tyre arrin në 2.8 milionë euro.
Rrahmani e ka cilësuar këtë situatë si padrejtësi ndaj ushtarëve të FSK-së, të cilët, kontribuojnë dhe rrezikojnë për sigurinë e vendit, ndërsa persona të tjerë përfitojnë paga pa kryer detyrat e tyre dhe duke rrezikuar vendin
“Kjo është një padrejtësi për ushtarët tanë, të cilët janë lënë pas dore, ndërsa të tjerë paguhen pa punuar”, ka deklaruar ai.









