02KULT'ART

Si filloi mësimi në gjuhën shqipe në Mitrovicë më 1910?

Nga një raport i konsullit austro-hungarez në Mitrovicë

1910: Familja Draga themelon një shkollë të suksesshme private në Mitrovicë; tutor i shkollës ishte Ibrahim Aga Deva, tregtar i madh dhe i respektuar si patrioti më i sinqertë dhe më me ndikim në Mitrovicë; konsulli austro-hungarez ndikon që në këtë shkollë turke të fillojë mësimdhënia në gjuhën shqipe; Ibrahim Deva e njoftoi me telegraf Basri Efendiun se ishte emëruar mësues i gjuhës shqipe në Mitrovicë; Basri Efendiu kishte mbaruar gjimnazin në Gjirokastër; mësimi në shqip filloi më 29 janar 1910

Në raportin e tij të dërguar më 1 shkurt 1910, konsulli austro-hungarez në Mitrovicë, Ladislaus Tahy von Tahar, shkruante se shkolla ryzhdie (shkollë e mesme osmane) s’kishte arritur sukses për shkak të injorancës së arsimtarëve në fushën pedagogjike, andaj edhe pasi kishin vijuar mësimin me vite, nxënësit pothuaj nuk arritën ta mësojnë shkrim-leximin. Muhamedanët iluministë të Mitrovicës që në kohën e regjimit të vjetër kërkuan reformimin e sistemit shkollor.

Florenti Company
Market Florenti
Koha
KL

Pas përpjekjeve të gjata dhe nën ndikimin sidomos të bejlerëve të familjes Draga u arrit nënshtrimi i rezistencës së Qeverisë dhe u mor leja për hapjen e një shkolle private. Kjo shkollë u hap para tre vjetësh dhe numri i nxënësve u rrit nga viti në vit, pasi që atë e drejtonin tre arsimtarë të mirë, kështu që sukseset në mësimdhënie qenë të shkëlqyeshme. Si shkolla qeveritare, edhe kjo shkollë është krejtësisht turke. Mbajtës të shkollës janë 25 muhamedanë të pasur, të cilët për çdo vit japin nga 5 funte turke. Të varfrit paguajnë nga një mexhite (para e argjendtë osmane) në muaj. Me 70 nxënës (djem) shkolla ka 250 funte turke të ardhura vjetore, të cilat mezi mjaftojnë për mirëmbajtjen e saj. Tutor i shkollës është Ibrahim Aga Deva, tregtar i madh dhe i respektuar si patrioti më i sinqertë dhe më me ndikim në Mitrovicë.

Në vijim të raportit të tij, konsulli Ladislaus Tahy von Tahar theksonte se që nga ardhja e tij në Mitrovicë në nëntor të vitit të kaluar (1909) ishte kujdesur të mbajë sa më pak kontakte me shqiptarë nga frika se do të ndëshkohej nga regjimi i xhonturqve, i cili i shihte me mosbesim ambiciet e Austro-Hungarisë në viset shqiptare. Në gazetat e xhonturqve si “Tanin” (Stamboll) dhe “Jeni asr” (Selanik) ishin botuar disa artikuj jashtëzakonisht urrejtës kundër Austro-Hungarisë. Këto dy gazeta, nënvizonte konsulli, janë pothuaj burimi i vetëm i informacionit të turqve të Mitrovicës.

Pas këtyre artikujve, në shtypin turk shpërtheu një polemikë e madhe mbi çështjen e alfabetit. Redaktori i gazetës “Tanin”, Hüseyin Cahit Yalçın, botoi një artikull në të cilin përkrahte alfabetin latin dhe pas një aksioni të ngjashëm të deputetëve shqiptarë, çështja e alfabetit latin u fuqizua dukshëm. Hüseyin Cahit Yalçın (1875–1957) ishte gazetar, shkrimtar, përkthyes dhe politikan turk. Ishte anëtar aktiv i lëvizjes letrare “Edebiyat-ı Cedîde” (Letërsia e re), e cila botonte revistën e avangardës dhe properëndimore “Servet-i Funun” (Pasuria e shkencave humane). Në këtë revistë botonte shkrime edhe Hüseyin Cahit Yalçın. Më 1908 Hüseyin Cahit Yalçın themeloi bashkë me Tevfik Fikret gazetën turke “Tanin” (Jehona). Po atë vit Hüseyin Cahit Yalçın u zgjodh deputet në Parlamentin xhonturk.

Në raport konsulli Ladislaus Tahy von Tahar njofton se pasi gjatë një bisede në katër sy kishte arritur ta fitojë besimin e Ibrahim Devës, ia kishte bërë me dije domosdoshmërinë e mësimdhënies në shqip dhe me alfabet latin. Ibrahim Deva tha se ai dhe shqiptarët e tjerë dëshironin që në shkollën e tyre private të jepej mësim në shqip dhe me alfabet latin, por këtë s’mund ta bënin nga frika prej Qeverisë dhe për shkak se mungonin mjete materiale.

Për të bindur parinë shqiptare të Mitrovicës që të fillojë me mësimdhënie në gjuhën shqipe, konsulli Ladislaus Tahy von Tahar përdori një shkathtësi diplomatike: i tha Ibrahim Devës se nga xhepi i tij do t’ia paguante çdo muaj dy funte turke nëse një mësues i ri i jepte konsullit austro-hungarez mësim në turqisht dhe në shqip. Kështu, thoshte konsulli, nuk do të komprometohej Ministria osmane e Arsimit. Po ashtu konsulli i tha Ibrahim Devës se Qeveria osmane nuk do ta pengonte mësimin në shqip në Mitrovicë, pasi që më parë ishte lejuar mësimi në gjuhën shqipe në shkollën shtetërore idadije në Shkup.

Pastaj Ibrahim Deva e njoftoi me telegraf Basri Efendiun se ishte emëruar mësues i gjuhës shqipe në Mitrovicë. Basri Efendiu kishte mbaruar gjimnazin në Gjirokastër. Konsulli bën me dije se mësimi në gjuhën shqipe në Mitrovicë filloi më 29 janar 1910 – me alfabet të Kostandinopojës (i përgatitur nga Sami Frashëri) dhe me shkronja latine.

Konsulli Ladislaus Tahy von Tahar i shkruante eprorit të tij se tani shpresonte që me fillimin e mësimit në gjuhën shqipe në Mitrovicë, ky shembull do të ndiqet edhe nga qytetet e tjera në mënyrë që të nisë përparimi kulturor dhe kombëtar i shqiptarëve dhe veçanërisht gegëve. Në fund konsulli nuk harronte ta luste ekselencën në Vjenë për të miratuar pagesën prej dy funtesh turke për ta paguar mësuesin që do t’i jepte mësim në turqisht dhe shqip./Kohanet