Si iu përmirësua cilësia e ujit për një ditë? – Gusto nis shërbimin me ujë pas raportimit të “Mitropol”

Kafiteria “Gusto” në qendër të Mitrovicës, konkretisht në sheshin “Mehë Uka” kishte javë të tëra që refuzonte të shërbente klientët me ujë të pijes, shkruan “Mitropol”.
Në vend se t’u servonte ujë, lokali u servonte klientëve një gënjeshtër të madhe, duke u thënë se uji nuk ishte i pijshëm dhe se uji nga ujësjellësi ishte përzirë me atë nga kanalizimi, edhe pse nga i njejti rrjet furnizohen të gjitha lokalet në shesh.
Por, pas raportimit të djeshëm të “Mitropol”, duket se cilësia e ujit në lokal u rregullua për një ditë, pasi sot lokali menjëherë ka filluar t’u servoj klientëve ujin e pijes, ashtu siç e përcakton ligji dhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për lokalet e gastronomisë.

Pas raportimit të “Mitropol” dje, sot në lokal kanë shkuar për inspektim nga Inspeksioni Komunal të cilët kanë njoftuar se nuk kanë hasur në parregullësi dhe se sot lokali po shërbente të gjithë klientët me ujë.
”Gjatë inspektimit të gjendjes faktike, referuar ditës së sotme rezulton që lokali në fjalë është hasur duke i shërbyer me ujë klientet (ashtu siç shihet në foto) në përputhje me rregullativen ligjore në fuqi dhe se inspektorët komunal nuk kanë hasur në ndonjë shkelje ligjore të kësaj natyre.”, ka njoftuar drejtori i Inspeksionit, Valon Brahimi.

Tash puna bie mbi Inspektoriatin e AUV-it, për të vërtetuar nëse pretendimet e deritashme të lokalit për cilësinë e ujit ishin të vërteta apo nëse kjo po bëhej vetëm për t’i detyruar klientët të blinin edhe ujin, shkruan “Mitropol”.
Në rast se AUV vërteton nga mostrat e ujit se uji në lokal deri dje ishte i papërdorshëm, atëherë do duhej të ndërmerreshin masa dhe do duhej të shqiptohej dënim për shërbim me ujë të papijshëm kur klientët insistonin të furnizoheshin me ujë nga çezma, pasi diçka e tillë do mund t’i helmonte qytetarët që kanë frekuentuar lokalin.
”Mitropol” posedon incizimin kur klienti shërbehet me ujë për të cilin kamarieri thotë se nuk është i pijshëm por se mund ta sjellë nëse do vet klienti.
Kafiteria “Gusto” ka edhe një pikë në Mall of Mitrovica dhe nuk ka shërbyer me ujë në asnjë nga pikat deri sot.
”Mitropol” do vazhdoj ta monitorojë situatën edhe ditëve në vijim.








